Java në një ditë- ALBANIA FM 3 maj 2014


Java në një ditë 3 maj 2014



Selam alejkum të nderuar dëgjues të ALBANIA FM  radios në 90,4 mgh, nga unë Roald Hysa. Në këto ditë të para të majit po shohim që ritmi i gjëra të papëlqyera po rritet për ditë e më shumë. Nga java në javë tonet e nxehta të debatit nuk kanë njohur veçse rritje. Po ashtu edhe problemet e hallet tona. Politika dhe debatet e saj vazhdojnë me një ritëm përherë e më të nxehtë, ndërsa njerëzit po mbeten në rolin e spektatorit të thjeshtë e janë mpirë e ngjeshur nëpër karriget e shtëpive apo të kafeneve. Dikush grabit xhiron ditore të një supermaketi të madh dhe gjëja e parë që bën ky njeriu, shkon dhe e luan në bixhoz e aty normalisht edhe kapet nga forcat e rendit. Një baba i dy vajzave humbet sasi të mëdha parash në bixhoz shkon e pret damarët dhe i le në mjerim të plotë vajzat e tij. Epo kjo nuk është zgjidhje e problemeve për fëmijët e tu duke i lënë me një njollë e me borxhe në kurriz. Drama familjare shkon edhe më tej; një nënë e re mbyt fëmijën e saj, se as burri i saj, as dashnori i saj nuk ia pranonin fëmijën. E shkreta ka humbur mendjen dhe në një moment depresioni e vret si pa gjë të keqe. Po ç’faj kishte kjo foshnje e pambrojtur. Nga kush duhet të mbrohemi më parë?!... Ndërkaq papunësia është një nga mënyrat se si njerëzit nuk mund të mbrohen. Nga një anë është qeveria që e bën fushë me lule me arritjet, nga ana tjetër njerëzit nuk po shohin dritë në fund të tunelit. Gjithsesi ne vazhdojmë të jemi të pranishëm në hapësirën valore dhe internetare për t’ju përcjellë ato që kemi përzgjedhur për ju në këtë javë...

Mbyti me jastëk foshnjën, 30-vjeçarja: E kisha me të dashurin, kisha 2 vite pa e parë burrin

Oriola Lleshi pranoi para ekspertëve hetimorë, se e kishte kryer vrasjen e foshnjës së saj në kushte të rënda depresive. Ajo ka shprehur pendesë për krimin e rëndë teksa ka pranuar, se fëmija nuk ishte e bashkëshortit të saj, por fryt i një historie dashurie, që ajo e kishte nisur me një djalë shumë më të ri në moshë se ajo. “E mbyta djalin me jastëk sepse doja të shpëtoja martesën time dhe situatën ku ndodhesha. Nuk doja të ndahesha nga bashkëshorti im, Tani, i cili ndodhet emigrant në Greqi. Edhe pse kisha bërë një gabim duke e tradhtuar atë, sërish unë doja ta shpëtoja martesën”, -është shprehur në Policinë e Elbasanit 30-vjeçarja e arrestuar për vrasjen e foshnjës së saj. Madje ajo ka dëshmuar në polici edhe rreth lidhjes së saj jashtëmartesore. Ajo ka treguar edhe emrin e të dashurit të saj, një djalë nga i njëjti fshat, i cili më pas është shoqëruar në polici. Por pasi është marrë në pyetje, ai është lënë i lirë pasi nuk ka prova që e implikojnë në këtë krim. “Isha në kushte të rënda depresive që kur e linda Mateon.”- është shprehur 30-vjeçarja. Fqinjë të familjes Lleshi kanë pohuar, se i gjithë fshati ishte në dijeni të marrëdhënies jashtëmartesore të Oriolës. Madje ata pohuan se ishin në dijeni edhe të kërcënimeve të saj nga ana e të dashurit. “Ai ishte më shumë se 10 vjet më i ri se ajo. Oriola ishte kërcënuar nga i dashuri i saj, se ai do të vriste edhe fëmijën, edhe njerëzit e burrit të saj, ndërsa i thoshte se do ta merrte atë, por pa fëmijë, pasi mendonte se fëmijën Orjola e kishte me bashkëshortin e saj. Policia e Elbasanit ka marrë në pyetje edhe të dashurin e 30-vjeçares. Siç mësohet, ai ka pranuar se ka qenë i lidhur me Oriola Lleshin, por ndërkaq ka qenë i paqartë në deklarimet e tij në lidhje me fëmijën. Ai është lënë i lirë pasi nuk ka prova që ta implikojnë atë në shkaktimin e ngjarjes, por do të rimerret në pyetje pasi ka të dhëna se ai e ka kërcënuar të dashurën e tij në lidhje me fëmijën dhe familjen e saj, çka mund të ketë ndikuar në rëndimin e gjendjes psikologjike të gruas që shkaktoi tragjedinë. Kjo është një fabul për një telenovelë me 100 seri. Dhe në përfundim të saj e pëson një foshnje e pafajshme për budallallëkun e nënës së vet... si do të jetojë kjo grua deri sa ti vijë dita për të vdekur, e më pas si do të përgjigjet përpara Zotit, kur të vijë ajo ditë e rëndë???

Raporti i Freedom House për lirinë e medias: Shqipëria liri të pjesshme, në vendin e 98-të

Raporti i fundit i Freedom House e rendit Shqipërinë, si vend me liri të pjesshme për sa i përket lirisë së medias. Në të njëjtin vend renditet edhe Kosova. Shtetet e shqiptarëve, Shqipëria dhe Kosova renditen në vendin e 98 në mesin e 197 vendeve. Kujtojmë se një vit më parë Shqipëria renditej në vendin 96, ndërsa Kosova radhitej e 102-ta, citon Zëri i Amerikës. Ato kanë nga 49 pikë në vlerësimin e Freedom House ku shkalla 0 është rezultati më pozitiv, ndërsa shkalla 100 është pika më e ulët. Në rajonin e Evropës juglindore Serbia është e 74-ta, Mali i Zi në vendin e 78-të, Kroacia në vendin e 83-të. Ndërsa Bosnja dhe Hercegovina dhe Maqedonia radhiten pas Shqipërisë dhe Kosovës në vendin 103, përkatësisht 122. Freedom House vlerëson, se liria e medies ka shënuar rënien më të madhe në dhjetëvjetëshin e fundit. Vetëm një në shtatë njerëz jeton në vendet me media të lirë. Rënia është nxitur pjesërisht nga zhvillimet në disa shtete të Lindjes së Mesme, duke përfshirë Egjiptin, Libinë, dhe Jordaninë, problemet në Turqi, Ukrainë, dhe në një numër vendesh në Afrikën lindore, si dhe përkeqësimi në mjedisin relativisht të hapur mediatik të Shteteve të Bashkuara. Vështirë se mund të gjehen medie të lira në ditët e sotme, në një kohë kur janë kthyer në armë vrasëse politike. Ky është dëmi më i madh që mund t’i bëhet një media... media pa ndërshmëri vështirë se mund të ndërtohen dhe janë gazetarët të parët që duhet të edukohen se si ta përcjellin lajmin, për më tepër këtu në Shqipëri ku shitet e blihet gjithçka...

INSTAT: Papunësia në Shqipëri vazhdon të rritet, problem të rinjtë e papunë

Papunësia në vend është rritur. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë, se gjatë vitit 2013, niveli i papunësisë arriti në 15.6%, duke shënuar një rritje vjetore prej 2.2%. Papunësia rezulton më problematike tek të rinjtë. Sipas INSTAT-it, shkalla e papunësisë te të rinjtë e moshës 15-34 vjeç është 30.2%, duke u rritur me 2.3% kundrejt vitit të mëparshëm. Gjatë 2013-ës pati një rritje të shkallës së papunësisë për personat me arsim të lartë me rreth 1.8%. Duke analizuar shkallën e papunësisë sipas nivelit arsimor, në tregun e punës në Shqipëri vihet re që shkalla e papunësisë është më e lartë për personat me arsim të lartë, me 14.7% se sa për personat me arsim bazë apo 8 dhe 9-vjeçar. Një tjetër tipar dallues i tregut shqiptar të punës është pjesa relativisht e lartë e të papunëve të dekurajuar, të moshës 15-64 vjeç, të cilët në vitin 2013 përbënin 23% të të gjithë individëve ekonomikisht joaktivë, qofshin këta meshkuj apo femra. Instituti i Statistikave konstaton se gjatë vitit që lamë pas, krahasuar me vitin e mëparshëm, numri i të punësuarve u ul me 11.2%. Sipas të dhënave zyrtare, pothuajse 3 në 7 të punësuar me pagë punuan në një nga pesë sektorët kryesorë të ekonomisë, si ndërtimi, administrata publike, industria përpunuese, arsimi dhe tregtia me shumicë dhe pakicë. Punësimi është dominuar nga sektori bujqësor dhe nga ai i shërbimeve. E pra ndryshimi i pushteteve rezultoi me rritje të papunësisë. Edhe në këto momente që po flasim shohim se papunësia vazhdon të rritet me gjithë përpjekjet e qeverisjes për ta ulur sadopak atë. Mirëpo kjo gjë ka koston e vet sociale, e cila po shihet me problemet e ndryshme brenda familjes dhe rritjen e varfërisë në ekstrem...

Rama në Serbi, Veliaj: Është vizitë historike për heqjen e barrierave

Në një intervistë për gazetën “Illyria” në Shtetet e Bashkuara, Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj ka folur për vizitën zyrtare që Kryeministri Edi Rama pritet të zhvillojë në Beograd. Duke e konsideruar një vizitë “historike”, Veliaj bën të ditur edhe çështje të cilat pritet të diskutohen gjatë takimeve të Kryeministrit shqiptar me zyrtarë të lartë në Serbi. “Gjykoj që jemi në një fazë të re të marrëdhënieve në Ballkan. Kryeministri shqiptar, Edi Rama, po përgatitet për udhëtimin e tij në Serbi. Do të jetë një vizitë historike e një kryeministri shqiptar, kam përshtypjen që në mes të viteve ‘40”, - shprehet ministri. Duke u ndalur te bashkëpunimi me Luginën e Preshevës në aspektin ekonomik, Veliaj bën të ditur se kemi filluar procesin e ndryshimit të legjislacionit, që heq lejet e punës për të gjithë qytetarët e Luginës së Preshevës, për ta bërë mobilitetin ekonomik dhe mobilitetin e punës diçka më të thjeshtë. “Duhet të synojmë për të rritur investimet dhe për të mbështetur ata që duan të investojnë në Luginën e Preshevës”, thotë ministri, duke shtuar se është e vetmja mënyrë afatgjatë përtej le të themi granteve dhe donacioneve që mobilizon dikë që të investohet në një vend të caktuar në jetën e tij. “Nëse ekonomia çedon, atëherë çdo gjë tjetër janë serume që nuk mjaftojnë. Ndaj dhe gjykoj që edhe qeveria e ka parasysh që investimet e të ardhmes duhet të jenë ato që stimulojnë ekonominë në Luginën e Preshevës”,- u shpreh ai. I pyetur nëse qeveria shqiptare është ndikuese, që udhëheqja politike në Luginën e Preshevës, të marrin pjesë në proceset e ndryshëm zgjedhorë, vendorë apo të përgjithshëm republikanë të Serbisë, ministri gjykon se “fitojmë më shumë duke marrë pjesë dhe duke kërkuar në tryezën e vendimmarrjes më shumë për interesat tanë se sa duke e deleguar vendimmarrjen vetëm në autoritetet serbe dhe duke pritur lëmoshën për çështje fondesh, për çështje investimesh apo për politika zhvilluese”. Sa mirë, i kemi zgjidhur të gjithë hallet që kemi, tashti po shkojmë në Serbi të zgjidhim edhe hallet e Preshevës. Ndërkohë që në Preshevë e Medvegjë vajzat me shami hyjnë në shkollat e mesme e kudo lirisht, madje Feja Islame mësohet në Shkollat shtetërore lirisht; në atdheun mëmë e në Kosovë kemi një realitet tjetër. Me të vërtetë që politikanët shqiptarë duke shkuar në Serbi kanë se çfarë të mësojnë!...

Humb lekët në bixhoz pret damarët dhe vdes menaxheri

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në kryeqytet, ku një menaxher i ka dhënë fund jetës duke u vetëvrarë. Gjithçka ka ndodhur në banesën e tij, pranë Prokurorisë së Tiranës, aty ku familjarët e kanë gjetur të pajetë Lulzim Saliasin 42 vjec. Nga burimet zyrtare të policisë, Saliasi, menaxher në linjën e shoqërisë së autobusëve të Unazës së Tiranës është vetëvrarë duke prerë damarët. Burime nga hetimi thonë se Saliasi dyshohet të ketë humbur sasi të konsiderueshme parash në lojëra fati, çka e ka zhytur në depresion.
Ai kishte planifikuar të pinte një kafe në një nga lokalet afër banesës, pranë prokurorisë së Tiranës me nipin dhe bashkëshorten rreth orës 9:00 të mëngjesit. Këta pasi e kanë pritur dhe ai nuk ka mbërritur, që prej mëngjesit familjarët e 42-vjecarit tentonin ta telefononin, por pa mundur të lidhen me të. Kur kanë shkuar në banesën e tij, kanë shqyer derën dhe e kanë gjetur të pajetë menaxherin. Nga të dhënat e parë të policisë, bëhet me dije se Saliasi ka lënë edhe një letër sqaruese për familjarët. Po të njëjtat burime zbardhin edhe përmbajtjen e letrës së lamtumirës që Saliasi la për familjen. Në letër ai shprehte pendesën e thellë dhe ju kërkonte falje familjarëve për aktin e rëndë. 42-vjeçari i linte bashkëshortes amanet dy vajzat e tij dhe i kërkonte që të kujdesej për to. Sipas policisë, arsyet që e kanë shtyrë drejt vrasjes dyshohet të kenë qenë borxhet e pashlyera që ka pasur, të paktën kështu kuptohet nga letra. 

Greqi, “Celulat e zjarrit”: Bomba në polici kundër vrasjes së shqiptarit Ilia Kareli

Organizata “Komploti i celulave të zjarrit” merr përsipër vendosjen e lëndës shpërthyese disa ditë më parë, në komisariatin e policisë së Iteas në Greqi, ku u mbajt për disa orë shqiptari Ilia Kareli, para se të dërgohej në burgun e Nigritës, ku gjeti edhe vdekjen. Në njoftimin e vet, “Komploti i celulave të zjarrit”, shkruan se u zgjodh pikërisht policia e Iteas, sepse aty është rrahur dhe torturuar i dënuari Ilia Kareli, para se t’iu dorëzohej rojeve të burgut të Nigritas. Sipas organizatës, ajo që ndodhi në policinë e Iteas është fshehur qëllimisht.
“Nëse muret do të kishin zë, shëmtisë do t'i vinte turp për veten”,- thuhet në njoftimin e organizatës. “Celulat e zjarrit” thonë se këtë herë shpërthimi i bombës dështoi, por në të ardhmen do të ndërmarrin veprime më dinamike. Normalisht që dhuna sjell dhunë, dhe shpresojmë që në të ardhmen të mos ketë më vrasje të tilla si ajo e Kudret Kumit apo siç njihet tashmë Ilia Karelit. Mirë dështoi ky shpërthim, por a do të dështojë shpërthimi tjetër…

Shënimi i Javës



Fatkeqësisht një nënë e re zgjedh rrugën më të keqe për të zgjidhur një problem, që shumë më kollaj do të kishte qenë të divorcohej, qoftë nga i dashuri, qoftë nga bashkëshorti. Sikur të kishte kërkuar ndihmë do të kishte vepruar më mirë, por tashmë tragjedia mori fund, u konsumua. Mateo një foshnje e pambrojtur, nuk akuzon vetëm nënën dhe babain e vet, por e ngren gishtin e tij të vogël ndaj të gjithë neve. Po nesër kur do të vijë ora e madhe dhe njerëzit do të dalin para Krijuesit çfarë do të kërkojë Mateo i vogël! Një çast dëshpërimi tragjik dhe pasojat e tij flasin shumë për të gjithë atë që po përjetojmë si shoqëri. Një baba 42-vjeçar vret veten si pa gjë të keq për shkak se borxhet e bixhozit e kishin mbuluar. Në çastet e fundit kujtohet t’i lërë amanet gruas së tij dy vajzat e vogla, të cilat qysh nga ai moment kanë mbetur jetime. E pra kishte një punë, kishte të ardhura të mira dhe para nëpër duar, se po të mos i kishte me çfarë do të luante bixhoz? Një tjetër situatë e pashpresë kjo; një barrë tjetër për shoqërinë tonë. Një nënë që përfundon burgjeve dhe me një ndërgjegje e shpirt të shkatërruar dhe një nënë tjetër, së cilës i duhet t’i rrisë vajzat e veta jetime me vështirësi. Këto janë dramat që përjeton familja shqiptare pa zënë në gojë këtu rreziqet e papunësisë, mungesën e një edukimi të përshtatshëm, problemet shëndetësore e një mori hallesh të jetesës së përditshme. Krimi brenda familjes në forma të ndryshme është kthyer në një gangrenë sociale. Për rastet e mësipërme nuk flitet më për t’i gjykuar, se tashmë si ajo nënë vrasëse dhe ai baba vetëvrasës  e ka në gjykuar veten dhe shtetit nuk i mbetet vetëm se ta izolojë në burg atë nënë dhe ai baba nuk do të jetë gjë tjetër veçse një numër në statistikat. Mekanizmat shtetërore janë të përbërë nga ingranazhe çeliku që e bluajnë njeriun dhe e konsumojnë atë shpirtërisht. Ka ardhur koha të gjehet një zgjidhje për të gjithë ata njerëz që janë zëri i një kolone statistikash në ministrinë e mirëqenies sociale. Njerëzit duhet të marrin vesh se janë të rëndësishëm dhe për këtë kanë nevojë për edukim. Njerëzit duhet ta dinë pse kanë ardhur në këtë botë, që të mos vetëvriten, që gruaja të mos e tradhëtojë bashkëshortin e vet. Ne duhet t’iu rrijmë sa më larg sallave të bixhozit, jo vetëm për hatër të fëmijëve tonë apo të familjeve që kemi, por edhe për hatër të vetes, se po shihet qartas, që kemi të bëjmë me shkatërrimin individual. Jo më kot Allahu i Madhëruar na porosit që t’i qëndrojmë larg të gjitha veseve negative e të ulëta, si pirja e alkoolit, tradhtia bashkëshortore, vetëvrasja e të tjera. Respektimi i prindërve dhe mirërritja e fëmijëve kërkojnë edukim, ndërsa edukimi nis qysh në momentet e para kur fëmija thith qumështin nga gjiri i nënës. Nëse një nënë apo një baba respekton dhe e rrit me dashuri pjellën e vet, normal që ky investim do t’i kthehet mbrapsht në ditët e pleqërisë. Nëse brenda familjes mbizotëron dashuria mbi hallet dhe sprovat e jetës, pasojat e këtyre halleve do të minimizohen. Sigurisht që hallet e njeriut nuk mbarojnë brenda ditës, porse njeriu ka shumë nevojë t’i përballojë ato. Këtu mekanizmat shtetërore dalin jashtë përdorimit, sepse ne kemi nevojë për një furnizues shpirtëror. Një polic vetëm se zbaton detyrën  e vet kur e fut në burg atë nënë, dhe një funksionar i gjendjes civile shënon tek gjeneralitetet “i vdekur” për atë baba që i la dy vajzat e veta jetime. Kush mund t’i japë dashuri atyre dy vajzave dhe a mund t’ua kompensojë atë dashuri atërore?... druaj se do të jetë shumë e vështirë për ato dy vajzat për sot dhe për ditët në vijim. Kjo shoqëri ka nevojë për ushqim shpirtëror dhe t’i largohet materializmit ekstrem, që e ka zaptuar. Kush kryen një vepër të mirë ka ndihmuar hallexhiun, por njëkohësisht edhe vetë ai do të ndjejë një lehtësim. Kështu ai që ndihmon do të kuptojë se me ndihmën e dhënë ka ndihmuar një fatkeq, po ashtu edhe vetveten. Shoqëria jonë ka nevojë për moral, individi ka nevojë për moral, si mjeti më i mirë i komunikimit shoqëror dhe këtë nuk mund t’ia japë laicizmi. Për 45 vjet u eksperimentua një laicizëm ekstrem, i cili na solli vetëm telashe dhe probleme pa fund. Njerëzit duhet t’i rikthehen Zotit dhe të kenë frikë orën e madhe kur të gjithë ne do të gjykohemi e do të japim llogari. E kur foshnjat e pafajshme do të pyesin, se përse u vranë... unë jam Roald Hysa dhe ky ishte shënimi i javës, vazhdoni të rrini me emisionet tona; bashkë do të dëgjohemi përsëri javën e ardhshme; deri atëherë selamu alejkum.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit