Java në një ditë ALBANIA FM 17 maj 2014


Java në një ditë
17 maj 2014

Selam alejkum të nderuar dëgjues të ALBANIA FM radio nga unë Roald Hysa. Gjatë gjithë kësaj jave që shkoi mbizotëroi moti me shira të dendur dhe temperaturat ranë ndjeshëm. Porse temperaturat e politikës u ngjitën për lart dhe shkuan në pikat më të nxehta të mundshme. Politika vazhdon të kryesojë me temën hit të avionëve të drogës dhe grindjet mediatike ishte apo s’ishte. Na ishte se ç’na ishte… e gjitha kjo sikur nuk ka ndodhur për pozitën dhe opozitës nuk i mbetet gjë tjetër port ë dalë para parlamentit që të protestojë për të arritur në një debat parlamentar. Ama, nuk po i del fundi kësaj pune dhe me siguri që nuk ka për t’i dalë edhe në vitet në vijim. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara Aleksandër Arvizu nëpërmjet një mesazhi i kërkon popullit shqiptarë të bashkohet me Amerikën për të mbrojtur së bashku pavarësinë, demokracinë dhe lirinë e Ukrainës. Mirë, nuk jemi kundra mor zotni, por po kemi shumë halle për vete për të zgjidhur hallet e të tjerëve. Ngado që ta çoje e ta lëvizje televizorin vetëm mushkonja e avionë dëgjoje, si dhe fytyra të irrituara shikoje. Kësaj radhe u tejkalua çdolloj mase. Nga FMN-ja qeveria hidhet në prehrin e BB-së, jo të Big Brotherit, në atë të Bankës Botërore me 100 milionë dollarë të tjerë. Përfaqësuesi i FMN-së në Tiranë Nedim Ilahi e paralajmëroi qeverinë të mos e prekë buxhetin e saj për të zhdëmtuar pronarët. Tashti ish-pronarët sapo e kanë dëgjuar këtë lajm janë hedhur përpjetë nga gëzimi. Me siguri Nedimi nuk duhet të takohet me to gjëkundi, se nuk i dihet se si do të përfundojë. Njerëzit po karikohen pafundësisht nga problemet e shumta dhe të nxehta që po i përcillen publikut të gjerë nëpër media. Gjithsesi ne po e nisim emisionin tonë me një lajm nga ekonomia që është ngushëllues për të gjithë ne ... TAP- gazsjellësi i shumëpritur, i cili do të kalojë edhe këndej ka filluar të vihet në lëvizje...

TAP, hap fazën para-kualifikuese për ndërtimet në tokë në Greqi e Shqipëri

Trans Adriatic Pipeline (TAP) ka publikuar njoftimin e dytë për kontratë (faza parakualifikuese) për një prokurim të madh për ndërtimet inxhinierike (EPC) në Gazetën Zyrtare të BE-së – the EU Gazette. Qëllimi i kësaj kontrate lidhet me punimet inxhinierike, prokurimet dhe ndërtimin e rreth 760 kilometrave të tubacionit në tokë me diametër 1.2 metra që lidh dy vendet Shqipëri dhe Greqi. Njoftimi aktual është i dyti, pas një njoftimi për ndërtimin e rrugëve dhe urave shqiptare të publikuar në 15 prill 2014. Përveç ndërtimit të gazsjellësit, kontrata do të përfshijë ndërtimin e 32 stacioneve valvolash përgjatë rrugës. Ndërtimi i gazsjellësit planifikohet të fillojë në vitin 2016 dhe do të ndahet në pesë lote – tre në Greqi dhe dy në Shqipëri. Vlerësim më i lartë i TAP do të jetë 1,800 metra në Shqipëri dhe gazsjellësi do të ndeshë përgjatë gjurmës me shumë rrugë dhe lumenj. Sipas njoftimit, kompanitë që janë të interesuara në fazën e para kualifikimit për kontratën e ndërtimit të gazsjellësit në tokë duhet të kërkojnë një pyetësor para kualifikimi nga TAP, jo më vonë se 26.05.2014. Vetëm një numër i përzgjedhur kompanish që kanë plotësuar para kualifikimin do të ftohen që të marrin pjesë në fazat e tenderimit të procesit të prokurimeve të TAP për ndërtimin në tokë të gazsjellësit. Knut Steinar Kvindesland, drejtor i prokurimeve në TAP, tha: “Kjo është një nga kontratat më të mëdha që TAP planifikon të realizojë. Përzgjedhja e ofertuesve potencialë do të jetë e rreptë. Një kërkesë kyçe, që kontraktorët tanë duhet të përmbushin lidhet me standardet e larta në Shëndet, Siguri dhe Mjedis dhe politikës së TAP për zero dëme.” 
Kontraktorët e EPC të TAP do të jenë përgjegjës për të siguruar nënkontraktorë shtesë për të zbatuar pjesë specifike të kontratës, duke krijuar në këtë mënyrë mundësi shtesë për ekonominë dhe punësimin në rajon. Njoftimi i ardhshëm për kontratë, që do të publikohet nga TAP në javët në vijim, do të jetë ai për para kualifikimin e kompanive për ndërtimin e stacioneve të kompresorëve. Parakualifikimi i kompanive për pjesën italiane në tokë do të njoftohet më vonë, si pjesë e një kontrate tjetër. Epo shyqyr, të paktën e nisëm me një lajm që do të sjellë hajr për shqiptarët, të cilët do të përfitojnë vende më shumë pune dhe para më tepër për xhepat e tyre.

Rama: Shqipëria nuk është Kolumbi. Trafiku në Divjakë, një film i servirur

"Shqipëria nuk është Kolumbi". Sipas kryeministrit Edi Rama, çështja e avionit të rrëzuar në Divjakë dhe gjithë sa rrodhi pas tij, janë thjesht një film i servirur. Kryeministri foli një ditë pasi u publikuan foto dhe dëshmi ekskluzive nga Divjaka, ku persona të dyshimtë nxirrnin çantat nga avioni i rrëzuar në rërë.  “Të krahasosh Kolumbinë me Shqipërinë, është monstruoze.”- ka thënë kryeministri Rama në një konferencë për shtyp, të cilat kanë vazhduar të tilla edhe pas kësaj konference. Sulmet e opozitës Rama i ka quajtur të paskrupullta dhe sipas tij janë thjesht një shfaqje politike. “Dua t’ju rrëfej sot drejtpërdrejtë, hapur, duke ju parë në sy dhe pa rrumbullakosur asnjë fjali, çfarë di, kuptoj e ndjej, teksa një shfaqje e shpifur politike po luhet pre tri ditësh. Një avion i ulur çuditërisht në rërë, nga një pilot profesionist italian, të shtunën, në mes të ditës me diell dhe pasi fluturon aq sa duhet për t’u pikasur nga shumë njerëz, për t’u filmuar e për t’u fotografuar nga të katër anët. Një makinë e ngecur çuditërisht në rrugën aty pranë, plot me drogë e me çanta të lëshuara si pa kujdes. Shoferi, një shqiptar i ardhur nga Italia që s’kishte kaluar kurrë më parë në atë rrugë, dhe i kapur nga policia në pyllin e Divjakës. Dhe një parti deri dje në pushtet, e cila që në sekondën e parë të daljes nëpër titrat e televizioneve të këtij filmi kaq tërheqës, lëshohet me tërbim me kuç e me maç, kundër meje, kundër ministrit të brendshëm, kundër Policisë së Shtetit, kundër logjikës së thjeshtë të shqiptarëve, kundër vetë interesit kombëtar në këtë moment. Lëshohet ashtu siç vetëm ajo forcë e verbër e të shkuarës e dimë që di të lëshohet, pa asnjë skrupull, pa asnjë sens mase; pa asnjë respekt për kohën që i duhet të vërtetës të dalë në këto raste; pa asnjë turp për përbaltjen frontale të uniformës blu të shtetit; pa asnjë kujdes se nga e gjithë kjo përbaltje tërësisht politike mund të njolloset jo vetëm e tërë policia, po vetë Shqipëria. Lëshohet e shoqëruar nga falsifikatorë pronash, bilancesh e deri edhe identitetesh, të cilët vënë në dispozicion ekrane, faqe gazetash apo dritare rrjetesh sociale, për të përmbytur opinionin me fabrikime, deri dhe krejt të paimagjinueshme dhe me komente lehtësisht të kuptueshme"- u shpreh Rama. Ndërkaq pas këtyre deklaratave të ashpra ka reaguar edhe më ashpër opozita dhe deputetët e saj në parlament. Menjëherë Lulzim Basha ka kërkuar dorëheqjen e kësaj qeverie dhe ka organizuar të enjten një miting të madh, duke nxitur një debat të ashpër në seancën plenare parlamentare, që mbahet zakonisht për çdo të enjte. Epo kjo telashet tona s’kanë të sosur.

Qindra punëtorë bllokohen në minierë në Turqi, Erdogan shtyn vizitën në Shqipëri

Kryeministri Turk Erdogan ka shtyrë vizitën e planifikuar në Shqipëri. Shkak për një vendim të tillë është bërë tragjedia e ndodhur në një minierë qymyri në Soma të Turqisë, ku humbën jetën rreth 300 minatorë, ndërkohë që qindra të tjerë vazhdojnë të jenë të izoluar dhe nuk dihet fati i tyre. Lajmi për shtyrjen e vizitës së Erdogan u bë publik edhe nga kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetin social “facebook”. Kryeministri turk Erdogan do të zhvillonte një vizitë një ditore në Shqipëri pas ftesës së bërë nga Kryeministri shqiptar, Edi Rama. Gjatë vizitës së tij në Tiranë kryeministri turk përveç takimeve me kreun e qeverisë shqiptare, Edi Rama, ishte parashikuar të takohej edhe me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, Kreun e Kuvendit, Ilir Meta, si dhe do të mbante një fjalim të posaçëm në Parlamentin e Shqipërisë. Kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan dhe Kryeministri shqiptar, Edi Rama ishte parashikuar të drejtonin së bashku edhe takimin e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Shqipëri-Turqi, që do të zhvillohej. Flitej që do të ishte një vizitë e bereqetshme dhe kjo ishte një humbje madhe për qeverinë. Ndërkaq i gjithë opinioni shqiptar ishin sensibilizuar për këtë vizitë dhe për të mirëpritur kryeministrin Turk Erdogan ishin përgatitur qindra autobuzë nga Durrësi, Kruja, Tirana e Elbasani, të cilët do t’i drejtoheshin Prezës ku ai do të mbante një fjalim dhe do të inauguronte Xhaminë e Kalasë. Gjithsesi ashti si na është gjendur populli turk kur ne kemi pasur nevojë për mbështetje, edhe populli shqiptar i gjendet atij pranë në këto momente dhimbje. Shumë telegrame ngushëllimi i janë drejtuar ambasadorit të Turqisë në Tiranë dhe Qeverisë Turke.

5.6 ton marijuanë shqiptare në Gjermani, shkatërrohet banda e trafikut të drogës

Autoritetet policore të Bavarisë në Gjermani, në bashkëpunim me autoritetet doganore të këtij vendi, kanë shkatërruar një rrjet shqiptar të trafikut të drogës, që brenda një periudhe kohore kishin arritur të fusnin në landin e Bavarisë 5.6 ton hashash. Shkatërrimi i këtij rrjeti trafikantësh ka ardhur pas një hetimi 6 mujor nga policia e Bavarisë dhe Saksonisë. Sasia e madhe e hashashit fshihej në kamionë, që supozohej të transportonin gurë natyrale. Por në vend të blloqeve të granitit, dogana zbuloi se kishte blloqe të lira prej betoni, të mbushura me hashash. Sasia e fundit e sekuestruar i përket tetorit të vitit 2013-të, 645 kg marijuanë të fshehura në blloqe betoni. Blloqet ishin përpunuar në atë mënyrë që të dukeshin si gurë graniti të përpunuar. Policia arrestoi tetë persona, mes moshës 30-49 vjeç, të dyshuar si kontrabanduesit e sasisë rekord të marijuanës prej rreth 5.6 ton. Në krye të trafikut besohet se qëndrojnë dy vëllezër shqiptarë. Të arrestuarit janë në paraburgim. Asnjë prej tyre nuk ka dëshmuar. Një person i nëntë, i dyshuar si pjesë e bandës është arrestuar në Austri. Nuk mjaftojnë mushkonjat e Divjakës, por shqiptarët kanë marrë në dorë edhe flamurin evropian. Me siguri që do të hyjmë në BE...

"Komunistët fituan luftën, por u kthyen në bandë vrasësish"

Këto deklarata vijnë nga i biri i Mehmet Shehut, një njeri që vuajti pas vdekjes tragjike të babait. Ai bëri këto deklarata gjatë një ligjërate publike dhe me të vërtetë që paraqesin një interes të lartë për të gjithë ata që duan një rivlerësim të së shkuarës komuniste të vendit tonë. Duke mos dashur të japë leksione ex cathedra, shkrimtari Bashkim Shehu u ndal (në takimin për ligjë-rimin publik) në dy aspekte: i pari, trajtimi i periudhës së komunizmit nga media e shkruar, dhe i dyti, zombifikimi i Enver Hoxhës. Në pjesën e parë, ai kritikon praninë në media të ish-persekutorëve komunistë, ndërsa në pjesën e dytë, ai duket se jep një lloj qëndrimi, sa i takon rivlerësimit të figurave historike, kur thotë se "lufta (nacionalçlirimtare) u përdor politikisht si një mit që legjitimonte diktaturën e fitimtarëve". Titulli në origjinal i fjalës së tij ishte: "Past present continuous: hijet e së kaluarës në ligjërimin publik". Kemi shkëputur dy pjesë të shkurtra nga kjo ligjëratë:
Tema për të cilën do të flas, ajo e hijeve të së kaluarës apo e inercive të së kaluarës në ligjërimin publik në Shqipëri, është shumë e gjerë dhe nuk mund të shterohet me një kumtesë të shkurtër. Do të prek vetëm dy aspekte. 
ASPEKTI I PARË konsiston në trajtimin e periudhës së komunizmit nga media e shkruar. Do të sillja si shembull pozitiv një artikull të Uran Butkës mbi raprezaljet që pasuan bombën e hedhur në ambasadën sovjetike më 1951: i bazuar në fakte të dokumentuara, dhe të shoqëruara me komente analitike që përftojnë kontekstin e duhur për atë ngjarje tepër domethënëse. Faktet kanë kuptim vetëm brenda kontekstit, ngulmonte Ëittgenstein-i. Krejt e kundërta shihet në një numër të madh botimesh të shtypit për atë periudhë të historisë së vonë. Rasti më paradigmatik është ai i riprodhimit të protokolleve të farsave gjyqësore. I paraqiten publikut të sotëm pa asnjë kontekstualizim dhe pa asnjë shpjegim vlerësues. Ose jo, shpjegimet vlerësuese gjenden edhe në të tilla botime, por janë ato që kanë dhënë pushtetarët e asaj kohe me gojën e prokurorëve dhe gjykatësve të atyre proceseve. 
ASPEKTI I DYTË që dëshiroj të prek në lidhje me ligjërimin publik për të kaluarën e afërt historike është zombifikimi i Enver Hoxhës. Është një transformim riciklues që ndodh në psikikën e disa politikanëve dhe të disa historianëve dhe që projektohet së andejmi në ligjërimin publik, përherë e më tepër kohët e fundit. Është një abrakadabra mendore që, në formën e saj të racionalizuar (në kuptimin frojdian të kësaj fjale), tingëllon pak a shumë kështu: "Vërtet që periudha e diktaturës ka qenë e keqe, ndonëse ka pasur edhe disa të mira, por nuk mund të mohohet kurrsesi epopeja e Luftës Nacionalçlirimtare dhe, duke qenë se Enver Hoxha ka qenë udhëheqësi i saj, nuk mund të mohohet krejtësisht figura e Enver Hoxhës". Pra, hapi i parë është ndarja e dy periudhave, hapi i dytë është ndarja e Enver Hoxhës më dysh, si të ishte viskonti i librit të Italo Calvino-s, dhe njëra prej dy gjysmave është e mirë, dhe pastaj hapi i tretë është ringjitja e dy gjysmave, ashtu si në një truk prej cirku teksa iluzionisti ndan më dysh me ndonjë shpatë një njeri të futur në kuti dhe e nxjerr nga kutia të gjallë e të pacenuar.

100 mln $ hua nga BB për ruajtjen e sektorit bankar e uljen e nivelit të kredive të këqija

Banka Botërore ka miratuar një kredi me vlerë 100 milionë dollarë për modernizimin e sektorit financiar në Shqipëri. Huaja e miratuar nga bordi i drejtorëve ekzekutivë synon të forcojë sistemin rregullator financiar dhe regjimin mbikëqyrës, si dhe të zbusë cënueshmërinë e sektorit bankar dhe jobankar. Huaja mbështet reformat në tre fusha kryesore. Së pari ajo përqendrohet te forcimi i aspekteve rregullatore dhe mbikëqyrëse të sektorit privat dhe tek përmirësimi i rrjetës së sigurisë financiare. Këto përpjekje pritet që të përmirësojnë përgatitjen e bankave për të përballuar krizat, dhe të përmirësojnë kuadrin e sigurimeve të depozitave. Fusha e dytë mbështet përshpejtimin e zgjidhjes për kreditë e këqija. Si rezultat i këtyre masave, përqindja e kredive me probleme pritet që të ulet në mënyrë të konsiderueshme, deri në fillim të vitit 2015. Reduktimi i kredive të këqija do të mbrojë stabilitetin financiar dhe do tu japë mundësi të mira bankave, që t’ju përgjigjen kërkesave për kredi. Fusha e tretë përqendrohet në forcimin e aspektit rregullator dhe mbikëqyrës për institucionet financiare jobankare. Ajo përpiqet të forcojë pavarësinë operacionale dhe kapacitetin e autoritetit të mbikëqyrjes financiare, duke lejuar që të rregullojë dhe të mbikëqyrë institucionet financiare jobankare në mënyrë sa më efektive. Huaja 100 milionë dollarë e Bankës Botërore jepet me një këst të vetëm, dhe ka një periudhë maturimi 22 vite e gjysmë. Ndërsa për shtatë vitet e para nuk paguhet interes. Kjo hua i shtohet asaj prej 330.4 milionë euro të FMN-së që Shqipëria do të përfitojë në 3 vite. E pra borxhi jashtëm vazhdon të rritet dhe ne zhytemi më thellë në... po shkojmë nga shiu në breshër dhe nuk po e marrim vesh, se çfarë po bëjmë.

Shënimi i Javës


Njerëz të moralshëm kundër njerëzve të pamoralshëm, e mira lufton ndaj së keqes vazhdimisht. Një luftë e vjetër sa e gjithë historia njerëzore. Profetët e Zotit të dërguar në tokë për të rregulluar jetën dhe moralet njerëzore. Kjo luftë do të shuhet veç kur t’i vijë fundi kësaj bote, ndërsa besimtarët do të sprovohen deri në fund. Qëndrueshmëria dhe durimi janë pjesë e betejave. Ne ndjehemi të shqetësuar se me çfarë na duhet të merremi. Vit pas viti dhe kohë pas kohe shoqërisë kërkohet t’i imponohet si e drejtë dhe e mirë, si e shëndetshme dhe e virtytshme, homoseksualiteti  apo një sjellje e tillë.  Mbi shoqërinë ushtrohet një presion i pandalshëm për ta detyruar atë që të mendojë sipas termave të lëvizjes homoseksuale. E gjithë kjo bëhet mbi një bazë të gënjeshtërt dhe të pambështetur në asnjë të vërtetë, as shkencore. Nuk ka asnjë arsye për të zhvilluar parada dhe për të dëshmuar krenarinë e të qenit homoseksual. Homoseksualiteti është mishërim i egoizmit ekstrem të njeriut, i atij egoizmi që në fakt, e zhbën lirinë e tij, duke e skllavëruar atë. Në asnjë rast njeriu nuk mund të jetë më pak i rëndësishëm se sa zgjedhja e tij. Ne duhet të kundërshtojmë me forcë synimin e tyre për t’u imponuar në hapësirën publike. shteti shqiptar, që të mos mbajë anën e kësaj axhende. Nuk është detyrë e shetit të promovojë axhenda apo ideologji. Morali dhe familja nuk i përkasin shtetit dhe as i cakton shteti. Ato i përkasin shoqërisë dhe vetëm ajo vendos për to. Çdo përpjekje për të imponuar këta gurë themeli do të ishte jo vetëm e padrejtë, por shkatërrim i shoqërisë. Familja mes një burri dhe një gruaje është i vetmi institucion që ka në qendër të saj fëmijët. Çdo ide tjetër, apo lloj tjetër ideje mbi familjen, ka në qendër egozimin e njeriut, i cili nuk mund të merret kurrë në mbrojtje, as nga parada homoseksualiteti, as nga ekspozita apo libra, dhe sigurisht, as nga shoqëria dhe shteti. Në këto pika besoj se jemi dakord të gjithë. Zaptimi i hapësirës mediatike, zaptimi i bulevardit Dëshmorët e Kombit, janë një ironi e vërtetë. Tre vëllezërit Frashëri luftuan dhe sakrifikuan për këtë vend, ndërsa mu pranë busteve të tyre njerëz të paturpshëm duan të marrin një flamur shumë-ngjyrësh që nuk ka të bëjë aspak me flamurin tonë kuq e zi. Nuk ka të bëjë aspak me sakrificat e shumë patriotëve që u përpoqën të ngrejnë Shqipërinë dhe ta fusin vendin tonë drejt zhvillimit dhe begatisë. Shumë njerëz punuan me djersën e tyre të ballit dhe kontribuan që ky vend të ngrihej sadopak, ndërsa një grusht i papërfillshëm njerëzish kërkojnë ta hedhin në zjarr. Loja e demokracisë funksionoi për një grusht njerëzish, të cilëve iu la sheshi i pastër të lodrojnë. Politika iu dorëzua qejfeve njerëzore të një pakice të dhunshme dhe axhendave që nuk kanë të bëjnë aspak me ndjeshmëritë dhe prioritetet tona. Dy leje për mitingje me tendenca të forta kundër LGBT u refuzuan dhe pavarësisht justifikimeve të bazuara juridikisht nga drejtori i policisë rregullat e funksionimit të një demokracie normale u shkelën me të dyja këmbët. Njerëzit tashmë në hapësirën publike do të kenë vetëm një alternativë atë të ... më falni sa nuk e thashë. Nejse kjo nuk është një betejë e humbur, ajo do të vazhdojë në vende dhe mënyra të tjera. Njerëzit normalë janë ende shumicë pavarësisht se axhenda gay në Shqipëri është një axhendë luksi e mbështetur nga ambasadorët. Ne duhet t’i kërkojmë të drejtat tona si qytetarë të këtij vendi, që na takojnë normalisht. Nuk mund të themi se kemi zgjidhur gjithçka, por nuk duhet të reshtim së përpjekuri dhe jo vetëm sot, por edhe për në ditët në vijim. Sot është moti i keq, ndërsa në vijim do të përmirësohet. Përpara tre vitesh u hodhën tre parrulla nga besimtarët që protestonin “Pro familjes, Pro moralit, Pro jetës”. Po sot mbeten aktuale dhe nuk ndryshojnë aspak. As ne nuk ndryshojmë në qëndrimet tona dhe në punët tona të përditshme. Ndershmëria dhe virtytet e mira janë karakteristika shoqëruese të besimtarëve. Unë nuk kam mendime të dyzuara në këtë drejtim, po ashtu si unë janë edhe disa mijëra të tjerë. Jemi heteroseksualë, i duam gratë tona, i duam familjet tona. Po kemi shumë halle dhe do të kemi përsëri, por familja për ne është shumë e dashur. Ashtu si na porosit edhe i Dërguari i Allahut në Fjalimin e tij të lamtumirës: “Ruajuni prostitucionit, tradhtisë bashkëshortore dhe xhelozisë. Prostitucioni dhe tradhtia bashkëshortore janë mëkat i rëndë,… Gratë tuaja iu janë dorëzuar në besë të Zotit. Respektojeni, o besimdrejtë, atë amanet të Zotit.” Porosi tepër të vlefshme, të cilat duhet t’i kemi parasysh... ky ishte shënimi javor në këtë mes muaji të majit, shqetësime që deshëm t’i ndanim së bashku dhe që na përkasin të gjithëve. Kjo ishte Java në një ditë dhe unë jam Roald Hysa. Do të dëgjohemi sërish javën e ardhshme, deri atëherë selamu alejkum nga valët e ALBANIA FM...

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit