Shënimi i JAVËS - 10 maj 2014

Ne hyrje te Varrezave te Deshmoreve ne Tirane- 5 maj

Shënimi i JAVËS


Imazhet filmike dhe fotografike të këtij 5 maji nuk do të harrohen deri në 5 majin tjetër. Deputetë të majtë përshëndetën me grusht dhe nderuan lapidarët e kohës së komunizmit dhe në Varrezat e dëshmorëve. Në hyrje të Varrezave të Dëshmorëve në Tiranë prisnin anëtarët e Partisë Komuniste për të kryer homazhet e tyre për udhëheqësin e tyre Enver Hoxha dhe të rënët e Luftës Nacional Çlirimtare. Këtë rast nuk e humbi edhe politika zyrtare për të bërë politikën e vet me grushtin ngritur dhe me përuljet hipokrite ndaj fotove të Enver Hoxhës dhe të Qemal Stafës, e të tjerë. Kësaj populli ynë i thotë vdis pa të të dua. Nëse Enver Hoxha e vrau Qemal Stafën, sot janë shfaqur në skenë killerat mediatikë, të cilët nuk lejnë rast pa shfrytëzuar për ta vrarë të vërtetën mediatikisht. Të nderuar dëgjues, këto gjëra dhimbshëm na përcjellin mesazhin që politika shqiptare nuk ka arritur të dalë jashtë vetes për të bërë një ndryshim themelor, atë të shkëputjes nga e kaluara kriminale e regjimit monist të Enver Hoxhës dhe praktikave të ulëta, të cilat u krijuan gjatë gjysëm-shekullit të kaluar. Ndërkohë që ish të-dënuarit politikë po kërkojnë me ngulm dëmshpërblimin e tyre Pandeli Majko përshëndet me grusht veteranë e partisë së punës. Ministri i drejtësisë përulet para fotos së enver hoxhës dhe deklaron, qqë nuk e pashë e më mbrapa thotë që unë nuk u përula për enver hoxhën po për Margarita Tutulanin e të tjerë. Kryetari i kuvendit me kurora në duar e me shallin e kuq të partizanit bën shou rrugësh për të dhënë mesazhe të qarta. Këto janë mesazhe që i përkasin një gjuhe pragmatike politikani, por edhe që përfaqësojnë edhe mentalitetin e atij që i lëshon. Po të ishin shkëputur nga e kaluara nuk do të dilnin e të bënin shou. Po të ishin shkëputur nga e kaluara nuk do t’i nxirrnin fëmijët adoleshentë të Përmetit të nderonin me grusht në Varrezat e Dëshmorëve të këtij qyteti famëkeq. Nuk është më qyteti nga anët e Naimit dhe të rilindësve të tjerë, por është qyteti i 24 majit, që pritet shumë shpejt të futet të luajë në Superligën e futbollit shqiptar. Nostalgjikët janë ngritur për t’ia pasuar stafetën brezit të ri, e për katër vjet këta njerëz do të na risjellin ndërmend me fakte të gjalla përjetimet tragjike të asaj kohe të humbur të shqiptarëve. Të përndjekurit sot po presin për një kafshatë bukë, e cila iu takon. Të gjithë Shqiptarët duan të shkojnë në Evropë në qershorin e këtij viti. Të gjithë Shqiptarët presin të bashkohen dhe kufijtë të bien, si për këndej dhe andej kufijve në Kosovë, në Maqedoni e Mal të Zi. Çamëria u shkatërrua e u përgjak, e ne kemi hall të kthehemi në ato kohë kur pikërisht nuk ishim në gjendje ta mbrojmë Çamërinë, kur e dorëzuam Kosovën më 1945, dhe e shitëm përsëri lëvizjen e studentëve më 1981. Për një dorë më shumë vota mund të premtojmë gjithçka, madje edhe t’i ngremë grushtet përpjetë e t’i biem me to kokës tonë. E gjithë bota intelektuale i përcjell me shqetësim këto zhvillime. Shfaqja e klasës udhëheqëse me simbolet e kuqe është një regres politik e intelektual. Dhimbjet e ish-të dënuarve politikë nuk janë shuar ende. Ata brenda vendit të tyre jetojnë në mjerim dhe të pavlerësuar për atë që janë, ndërsa një pjesë e madhe e tyre morën rrugët e kurbetit pikërisht për t’i shpëtuar këtij realiteti të zymtë që pritet në ditët në vijim. Amik Kasoruho vdiq e ndërroi jetë. Ai dha një shembull paqeje, mirësie dhe intelektualizmi, por kjo klasë politike nuk ka për të hasur vazhdimisht me Amik Kasoruho të tjerë e Robert Shvarc. Intelektualizmi është zëri i vërtetë i opozitës, por realiteti i përket Kujtim Kaziut e Lirak Bejkos, që pa shumë hezitime vetëdigjen e vetësakrifikohen, se nuk shohin dritë në fund të tunelit. Kjo shtresë kërkon shpagim moral në sytë e të gjithë Evropës ku duam të aderojmë nderojmë me grushtet përpjetë si komunistë të devotshëm. Kjo nuk sjell paqen sociale aq shumë të dëshëruar në demokraci, por një luftë të re klasash të kamufluar me flakje të personelit nga puna dhe lënien pa bukë përsëri të qytetarëve të tu. Ky 5 maj iku dhe jemi në pritje të 5 majit tjetër. Qershori është afër dhe do të jemi dëshmitarë të ngjarjeve në vijim. Kjo javë shkoi dhe presim javën tjetër deri atëherë ju të nderuar dëgjues të ALBANIA FM qëndroni të sintonizuar me programet tona. Ju urojmë mbarësi e selam alejkum nga unë Roald Hysa.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit