Java në një ditë –ALBANIA FM 24 maj 2014



Java në një ditë – 24 maj 2014

Selam alejkum të nderuar dëgjues të ALBANIA FM radio nga unë Roald Hysa në këtë të shtunë të parafundit të majit. Tashmë temperaturat e motit janë ngritur dhe vapa ka filluar zyrtarisht duke na sinjalizuar hyrjen e verës, stinës së nxehtë shumë të preferuar nga Shqiptarët. Në këtë javë si edhe në javët e kaluara politika ka vazhduar të luajë rolin e vet kryesor me protagonizmin  e  saj, por nuk duhet të harrojmë se politika është vetë jeta e jonë e përditshme. Droga dhe opozita shqiptare janë fjalët më të klikuara të kësaj jave. Lajmet e kapjes së sasive të ndryshme droge kanë qenë të shumta dhe në fokusin e agjencive të lajmeve, duke i dhënë argumente më shumë opozitës, e cila e ka emërtuar qeverinë Rama, qeveria e narkotrafikut. Batutat dhe kundërbatutat npër mediat e ndryshme janë shkëmbyer pa rezerva nëpër mediat e ndryshme nga të dyja palët kryesore të politikës së sotme. Gjithsesi asnjëra nga palët nuk ka lëvizur nga pozicioni i vet, qeveria Rama nuk e ka dhënë dorëheqjen, kurse partia demokratike vazhdon të jetë në opozitë. Retorika të ashpra e fyese të pozitës nga një anë dhe etiketime politike përkeqësuese nga ana tjetër. 16 njerëz kanë hyrë në një grevë urie për të kërkuar të rikthehen në vendet e tyre të punës, por nuk duket se do të rikthehen atje ku kanë qenë, megjithëse i kanë fituar gjyqet për t’u rikthyer në vendet e tyre të punës. Ndoshta sakrifica e këtyre njerëzve nuk shkon kot, sepse kjo qeverisje nuk ka ndërmend t’i kthejë aty ku kanë qenë. Në gjithë këtë gurgule mediatike e politike së bashku qeverisja qahet se do ta humbasë shnasin për të hyrë në Evropë për t’ia hedhur fajin e një humbjeje të mundshme opozitës, duke harruar që është qeverisja ajo që i ka në dorë çelsat e zyrave qeveritare. Opozita po merret me punën e vet, të cilën deri tashti e ka kryer shumë mirë. Ajo që vazhdon të tronditi opinionin publik është krimi në familje. Nëna nuk di të komunikojë me vajzën e vet dhe me dashje vret pjellën e vet, për të cilën është munduar 9 muaj dhe e ka rritur me sakrifica. Jeta është e mbushur me sakrifica të jetës së përditshme dhe ne nuk duhet ta hedhimn poshtë kaq kollaj një jetë njerëzore, një femër që vret një femër, një nënë që vret një nënë potenciale, kjo është një tragjedi e kohëve moderne. Ndërkaq një grup intelektualësh kanë bërë një thirrje në favor të familjes nëpërmjet një letre publike “Familje e shëndoshë- Atdhe i shëndoshë”, një thirrje kjo për të ruajtur familjen edhe nga këto lloj problemesh, por të vetmit që kanë reaguar kundër kanë qenë Lëvizja LGBT. Java e shkuar pati shumë probleme shqetësuese, por le të merremi me disa prej tyre në emisionin tonë të sotëm

Tatimet: Të ardhurat në janar-prill 2014, mblidhen mbi 5 mld lekë më shumë

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve publikoi realizimin e mbledhjes së të ardhurave për muajin prill 2014 dhe 4-mujorin, duke theksuar se “për muajin prill 2014, si dhe për 4-mujorin, Administrata Tatimore arriti tregues të lartë në mbledhjen e të ardhurave, në përmbushje të detyrave të ngarkuara dhe programit të Qeverisë Shqiptare”. Sipas njoftimit për shtyp të Drejtorisë së Tatimeve, “Totali i të ardhurave të mbledhura për muajin prill është 14 miliardë e 849 milionë lekë, dhe krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kjo shifër, e mbledhur fakt, është 1.6 miliardë lekë më shumë ose një rritje prej 12.34%”. Sipas zërave kryesorë të të ardhurave të mbledhura rezulton se Kontribute të Sigurimeve Shoqërore, Drejtoria e Tatimeve thekson se, “janë mbledhur 5 miliardë e 933 milionë lekë ose 662 milionë lekë më shumë se muaji prill 2013, duke realizuar një rritje prej 12.57 % më shumë se kjo periudhë e mëparshme”. TVSH, janë mbledhur 3 miliardë e 164 milionë lekë ose rreth 376 milionë lekë më shumë se muaji mars 2013. E shprehur në % kjo shifër është 13.48% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Tatim mbi Fitimin, gjatë muajit prill janë mbledhur 1miliard e 618 milionë lekë, 50.6% më shumë ose rreth 543 milionë lekë më shumë se muaji prill 2013. Krahasuar me periudhën 4-mujore janar – prill të vitit 2013, të ardhurat e mbledhur në total gjatë muajve janar – prill 2014, janë 57 miliardë e 139 milionë lekë, 9.7 % ose mbi 5 miliardë lekë më shumë se janar – prill 2013. Shumë shifra kishte ky lajm si për të na thënë se ne e kemi marrë seriozisht këtë punën e taksave. Arritje të mëdha në të gjitha fushat, ky është i gjithë pikësynimi i këti lajmi dhe i shumë të tjerëve që vijnë nga qeveria, porse ajo që të len një shije shumë të hidhur në gojë është se kjo të kujton realizimin e planit dhe tejkalimin e tij që synohej dhe jepej me bujë nëpër media gjatë kohës së regjimit monist.

Itali, bllokohen 1450 kg marijuanë nga Shqipëria, në pranga tre italianë

Policia italiane ka sekuestruar në Katania 1450 kilogramë marijuanë, e cila ishte transportuar nga Shqipëria me anë të një peshkarexhe. Pas operacionit të policisë, janë arrestuar tre italianë Joseph Costanzo 51 vjeç , Sebastiano Costanzo 52 vjeç dhe Sandro Mirabella 45 vjeç, si përgjegjës për transportin e drogës të fshehur në peshkarexhë. Sasia e madhe drogës ishte shpërndarë në disa pako të mbështjella me celofon dhe ishte vendosur pranë motorit të peshkarexhës. Kjo e fundit ka përshkruar rrugën nëpërmjet detit Jon dhe sipas hetuesve italianë, besohet se ka transportuar drogë edhe herë të tjera. Mediat italiane bëjnë të ditur se vlera e drogës së sekuestruar kësaj here është rreth 6 milionë euro. Lajme të ndryshme po na pohojnë se droga drejt Italisë po niset me të gjitha mënyrat e mundshme, çka tregon një përshkallëzim të përpjekjeve të narko-trafikuesve jo vetëm për të transportuar drogë në sasi të mëdha, por edhe me të gjitha mënyrat e mundshme nga toka, ajri apo deti. Një gjë është e sigurtë, makutëria e këtyre njerëzve nuk merr fund kollaj. Përjekjet e tyre nuk do të reshtin, madje edhe në këto momente kur ne po flasim.

Të larguarit nga puna grevë në çadra: Ja 5 kërkesat

Të larguarit nga administrata vijojnë prej pasdites së djeshme grevën e urisë në tendat e vendosura pranë selisë së Kryeministrisë, në lulishten përballë Piramidës. Dhjetë grevistët e parë, pjesë e shoqatës së të larguarve nga puna, janë gdhirë në çadra, ndërsa në mbështetje të tyre kanë qenë edhe deputetët e PD-së, Gerti Bogdani, Aldo Bumçi dhe Keltis Kruja. Më pas atyre iu janë bashkuar edhe 4 të tjerë. Grevistët kanë paralajmëruar pjesëmarrje të gjerë në grevë, dhe pikërisht rreth orës 10:00 katër punonjës të tjerë të larguar nga puna i janë bashkuar çadrave ku po zhvillohet greva, duke e çuar në 14 numrin e grevistëve. Mësohet se katër personat që iu bashkuan grevës nuk janë pjesë e shoqatës së të larguarve nga puna. Ata janë: Sokol Ukperaj, ish-ekonomist te Sigurimet Shoqërore, Edmond Idrizi, ish- kryeinspektor te Drejtoria e Burgjeve, Mehmet Cemurati, ish-gardist dhe Mimoza Boçari, mjeke. Të larguarit nga puna, pjesë e grevës së urisë, kanë parashtruar pesë kërkesat e tyre ndaj qeverisë. Ata kërkojnë që të zbatohen vendimet e gjykatës për t'u rikthyer në punë, vendime për të cilat ata pretendojnë se nuk janë zbatuar ende. Grevistët kërkojnë të bëhet transparenca e numrit të të shkarkuarve nga puna dhe marrjen e përgjegjësive për trajtimin e legjislacionit të administratës. Ndërkohë autoriteti shëndetësor ka vënë në dispozicion të grevës një ekip mjekësor dhe një ambulancë vijon të qëndrojë pranë grevistëve. Dy mjekë kanë kryer kontrolle sa i takon gjendjes shëndetësore të grevistëve. Për të inspektuar nga afër gjendjen e grevistëve, kanë shkuar dhe përfaqësues të Institucionit të Avokatit të Popullit. Grevistët janë vizituar dhe nga deputetet e Partisë Demokratike, Albana Vokshi dhe Mesila Doda. Përveç vizitave zyrtare, grevistët janë vizituar dhe nga familjarët e tyre. Të jesh papunë sot është me të vërtetë e vështirë, dhe nuk është habi që këto njerëz protestojnë. Njerëzit duhet ta mendojnë që sektori privat është një alternativë më e mirë se ai shtetëror. Por edhe drejtësia duhet rikthyer në vend. Gjykata ka vendosur në favor të këtyre njerëzve dhe këta njerëz nuk duhet të marrin justifikime klasore për moskthimin e tyre në vendin e punës.

Vajza tenton të shkojë në ekskursion, nëna e vret me armë, më pas vetëvritet

Dëshira për të shkuar me bashkëmoshatarët në një ekskursion të organizuar nga shkolla, e ka bërë 15-vjeçaren Sara Keqi që të kundërshtojë nënën, duke tentuar të nisej pa lejen e saj. Por ky kundërshtim i ka kushtuar asaj jetën, pasi e ëma e ka qëlluar me armë zjarri, duke e lënë të vdekur në oborrin e shtëpisë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Fushë Kuqe të Kurbinit, ku 40-vjeçarja Mimoza Keqi ka vrarë me armë zjarri të bijën 15-vjeçare, dhe më pas është vetëvrarë me të njëjtën armë. Sipas dëshmive nga vendi i ngjarjes, nënë e bijë kanë debatuar ashpër që prej mbrëmjes e deri në mëngjesin e ditës fatale, pasi 15-vjeçarja ka kërkuar të shkonte në ekskursion me klasën. Në përpjekje për të bindur të bijën, që kërkonte me çdo kusht të nisej për në ekskursion, gruaja ka marrë një armë zjarri dhe ka shtënë në drejtim të vajzës. Mësohet se 40-vjeçarja fillimisht e ka plagosur të bijën, dhe kur ajo ka dalë në oborr e ka qëlluar sërish me breshëri automatiku, duke e lënë të vdekur. Pasi ka parë vajzën të mbytur në gjak, në kushte të rënda psikologjike, 40-vjeçarja është futur në banesë dhe i ka dhënë fund jetës me të njëjtën armë. Mësohet se në momentin e ngjarjes nënë e bijë ishin vetëm në shtëpi.  Ndërkohë Policia e Kurbinit ka mbërritur menjëherë në fshatin Fushë Kuqe dhe po punon për të zbardhur ngjarjen. Tashmë policisë nuk i ka mbetur gjë tjetër vetëm që të evidentojë rastin, sepse ajo që u bë, u bë. Tashmë i takon shoqërisë tonë të reflektojë e të veprojë. Familja po dëmtohet, sepse kjo shoqëri po prodhon prindër të pandërgjegjshëm dhe mungesa e arsimimit sjell gjithashtu ashpërsimin e marrëdhënieve ndër-njerëzore. Nëna që vret bijën e saj, një kandidate për nënë. Kjo është thjesht tragjike...

Opozita në shesh, Basha: Rama ndihmës i narkotrafikut, vendi ka nevojë për zot shtëpie

Qytetarë të shumtë nga të gjitha qytetet e vendit iu bashkuan protestës paqësore të opozitës, në sheshin përpara godinës së Kryeministrisë, ku kërkuan largimin e kryeministrit Rama. Ashtu siç ishte paralajmëruar, marshimi opozitar nga sheshi “Skënderbej” ka nisur rreth orës 11:00 me parullën: “Një popull në këmbë kundër drogës, Rama në shtëpi”. Pas marshimit paqësor përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, të kryesuar nga deputetët e PD-së, protestuesve ju bashkua edhe kryetari i demokratëve, Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Ndërkohë protestuesit mbanin në duar parulla të njëjta me ato të një jave më parë, që u hodhën përpara Parlamentit: “Shqipëria drejt Europës, jo drejt Kolumbisë”; “Ikni në shtëpi, ju s’na jepni siguri”; “Integrim, jo drogë”. Përballë protestuesve, në godinën e Kryeministrisë qëndronte një kordon policie, i përbërë kryesisht nga efektive femra. Ashtu sikundër u paralajmërua nga takimi i pak ditëve më parë i kreut të demokratëve me aleatët, në këtë protestë ishin të pranishëm edhe kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu dhe kreu i PDK, Nard Ndoka. Pas fjalës së kryetarit të PD-së, i cili kërkoi dorëheqjen e Kryeministrit Rama, protestuesit janë shpërndarë qetësisht, ndërsa një pjesë e tyre kanë shprehur solidaritet me grevistët e urisë, që qëndrojnë prej tre ditësh në çadrat e ngritura pranë kryeministrisë. 16 grevistët e urisë, pjesë e shoqatës së të larguarve nga administrata, kërkojnë rikthimin në punë. Ky ishte mitingu i dytë i opozitës së kryesuar nga partia demokratike, ku njerëzit u larguan qetësisht për në punën e tyre. E pra, partia demokratike po jep mesazhe pozitive në këtë drejtim, krejt në të kundërt të atij mitingu fatkeq të partisë socialiste më 21 janar, ku humbën jetën katër persona. Mesazhi i opozitës së sotme drejtuar të gjithë opinionit publik vendas e të huaj është i njëjtë: ne luajmë sipas rregullave të vendosura nga ky sistem, ndërsa ju nuk po luani. Ata që e njohin politikën e kanë marrë këtë mesazh, i cili është krejtësisht i dukshëm dhe i prekshëm. Lufta në parlament dhe në sheshet publike është brenda krejt rregullave të demokracisë. Ndërkaq qeverisja qasjen ndaj lojës demokratike e ka krejt selektive. E përkthyer në terma popullore, lojën e demokracisë e pranon aty ku i leverdis, e aty ku nuk i leverdis, JO...


SHËNIMI I JAVËS –


Vrasja e një vajze nga nëna e vet dhe më pas vetëvrasja e kësaj të fundit me të njëjtën armë me të cilën vrau të bijën është e denjë për një skenar tragjik të një filmi horror, i zhvilluar brenda 12 orëve. Po të hysh në thellësi të kësaj ngjarje fatkeqe mund të bëhen studime të fushave të ndryshme, të cilat do të sillnin në vëmendjen tonë vetëm një gjë; rritjen e kriminalitetit, të abuzimit, të dhunës në familje. Qasjet ndaj këtij problemi mund të vijnë nga disa anë, si fjala vjen ekonomike, sociale, të komunikimit, të mbarëvajtjes etj. Një nënë që vret vajzën e vet, një kandidate potenciale për vazhdimësinë e jetës dhe të familjes është një mesazh negativ, një dhimbje e pafund për të gjithë të afërmit e tyre. Tronditja e farefisit të këtyre dy femrave ka qenë e jashtëzakonshme. Për vite me radhë nuk do të shlyhet nga kujtesa kjo tragjedi e hidhur me shumë pasoja. Ka ardhur koha që të mos merren vetëm forcat e rendit duke evidentuar thjesht rastin dhe duke futur një numër në statistikat e kriminalitetit brenda familjes. Studiuesit duhet të thonë fjalën e vet, psikologët gjithashtu. Sociologët duhet të angazhohen me punën e tyre konkrete në terren dhe e gjithë shoqëria civile duhet të reagojë në mbrojtje të vlerave njerëzore, në mbrojtje të familjes. Dy femra u larguan nga kjo botë duke na dhënë secila mesazhe të kundërta. Njëra që ndërpreu jetën e vajzës së saj me dhunë, dhe vajza që kërkonte të dilte e të shihte botën përreth, por që nuk doli se nuk e lanë. Të dyja këto femra u larguan me shumë peng nga kjo botë dhe duke i lënë të habitur e të tronditur ata. Çfarë kuptimi kishte veprimi i kësaj nëne, e cila nuk arriti të gjejë një zgjidhje paqësore me bijën e vet? Kjo tregon që ato të dyja nuk ditën të komunikojnë me njëra-tjetrën. Moskomunikimi i rregullt nuk mund të rregullohet brenda një nate dhe ndodh ajo që ndodhi. Komunikimi brenda familjes është shumë i rëndësishëm dhe kjo gjë arrihet duke e plotësuar këtë boshllëk me dashuri e mëshirë ndaj fëmijës. Ndoshta ajo nënë nuk ka pasur aq para sa ta dërgonte vajzën e vet në ekskursion. Por këtë mungesë ajo duhet ta kishte plotësuar me dashurinë dhe mëshirën që ndjen çdo nënë për fëmijën e vet. Prindi duhet të tregojë autoritet, por njëkohësisht edhe mirëkuptim ndaj nevojave të fëmijës. Fëmija duhet mësuar që të tregojë respekt ndaj prindit dhe autoritetit, gjëra që do t’i nevojiten fëmijës për vitet në vijim. Por ajo që shohim rëndom si shfaqje publike npër mediat e lajmet që na vijnë nga të gjitha agjencitë, është mungesa e mëshirës, tolerancës, dashamirësisë e ajo që të vret më tepër është varfëria. Jo thjesht një varfëri ekonomike apo financiare, porse një varfëri shpirtërore e atillë, që po çon njerëzit në vrasje e vetëvrasje. Shoqëria duhet të gjejë mjetet dhe mekanizmat për ta ruajtur familjen dhe individin njëkohësisht. Një herë e një kohë ishte kolektivi në qendër të vëmendjes së shtetit dhe shoqërisë, ndërsa sot kemi kaluar në një shoqëri me fokus individin dhe egoizmin e tij për çdo gjë materiale. Kjo ka sjellë një shpërqendrim të vëmendjes nga objekti. Na duhet të gjejmë një të mesme të artë midis familjes dhe individit. Familja është një institucion i rëndësishëm për të cilin ia vlen të ruhet e të luftohet. Familja dhe qyteti janë dy nocione me të cilat shteti mund ta gjejë rrugën e zgjidhjes shumë lehtë. Familja dhe fshati gjeografikisht po shohim se janë shumë larg qendrës së vëmendjes së shtetit dhe ojf-ve të ndryshme që merren me veprimtari të ndryshme dobiprurëse shoqërore. Kjo largësi duhet të shkurtohet në mentalitetin shoqëror dhe praktik të jetës sonë sociale. Fshati po qëndron larg vëmendjes tonë të përgjithshme, madje edhe rendi megjithëse është i pranishëm atje me ndonjë polic operativ, i gjithë legjislacioni shtetëror nuk merr asnjë lloj vlere para traditës zakonore dhe lidhjeve të gjakut që ka ky polic në atë fshat ku jeton. Jeta ka dhimbje dhe këto dhimbje nuk do të na pushojnë deri në frymën e fundit në këtë botë. Vlerat tona të familjes kanë qenë gjithnjë ato që na kanë mbajtur të qëndrojmë në këmbë me krenari e dinjitet. Ky ka qenë sekreti i qëndresës sonë në përballimin e vështirësive dhe kështu ka për të qenë edhe në vazhdim. Familja është vlerë e shenjtë, e paprekshme! Mbrojtja e këtyre vlerave është mbrojtja e nderit dhe dinjitetit tonë shoqëror e kombëtar. Për këto gjëra ia vlen të jetosh e të luftosh dhe për këtë njerëzit kanë nevojë për një mbështetje shpirtërore e morale, e cila nuk ofrohet nga shteti. Këtë gjë nuk e ka bërë deri tashti as shoqëria civile me shumë nga mekanizmat e saj. Ndërkaq komunitetet fetare janë më të ndjeshme dhe përmbajnë brenda vetes së tyre mbështetjen morale dhe shpirtërore për këtë institucion të rëndësishëm, shumë herë më tepër se sa çdolloj grupimi tjetër shoqëror. Para pak ditësh një thirrje për të ruajtur familjen nga egoizmi i tepruar individual e sjellë kjo nëpërmjet një letre të firmosur nga intelektualë dhe figura të artit e të skenës u keqkuptua nga një grupim social, si dhe nga shumë të tjerë, duke hapur kështu një debat që ka munguar prej kohësh. Para se të shërojmë individin dhe familjen tonë ne duhet ta vendosim pikat mbi I, dhe jo të tregojmë me kokëfortësi se kështu jemi dhe pikë. Shërimi shoqëror nis nga shërimi shpirtëror, për këtë starti në çdolloj kohe e grupimi është njësoj i vlefshëm.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit