SHËNIMI I JAVËS 24 maj 2014



SHËNIMI I JAVËS –



Vrasja e një vajze nga nëna e vet dhe më pas vetëvrasja e kësaj të fundit me të njëjtën armë me të cilën vrau të bijën është e denjë për një skenar tragjik të një filmi horror, i zhvilluar brenda 12 orëve. Po të hysh në thellësi të kësaj ngjarje fatkeqe mund të bëhen studime të fushave të ndryshme, të cilat do të sillnin në vëmendjen tonë vetëm një gjë; rritjen e kriminalitetit, të abuzimit, të dhunës në familje. Qasjet ndaj këtij problemi mund të vijnë nga disa anë, si fjala vjen ekonomike, sociale, të komunikimit, të mbarëvajtjes etj. Një nënë që vret vajzën e vet, një kandidate potenciale për vazhdimësinë e jetës dhe të familjes është një mesazh negativ, një dhimbje e pafund për të gjithë të afërmit e tyre. Tronditja e farefisit të këtyre dy femrave ka qenë e jashtëzakonshme. Për vite me radhë nuk do të shlyhet nga kujtesa kjo tragjedi e hidhur me shumë pasoja. Ka ardhur koha që të mos merren vetëm forcat e rendit duke evidentuar thjesht rastin dhe duke futur një numër në statistikat e kriminalitetit brenda familjes. Studiuesit duhet të thonë fjalën e vet, psikologët gjithashtu. Sociologët duhet të angazhohen me punën e tyre konkrete në terren dhe e gjithë shoqëria civile duhet të reagojë në mbrojtje të vlerave njerëzore, në mbrojtje të familjes. Dy femra u larguan nga kjo botë duke na dhënë secila mesazhe të kundërta. Njëra që ndërpreu jetën e vajzës së saj me dhunë, dhe vajza që kërkonte të dilte e të shihte botën përreth, por që nuk doli se nuk e lanë. Të dyja këto femra u larguan me shumë peng nga kjo botë dhe duke i lënë të habitur e të tronditur ata. Çfarë kuptimi kishte veprimi i kësaj nëne, e cila nuk arriti të gjejë një zgjidhje paqësore me bijën e vet? Kjo tregon që ato të dyja nuk ditën të komunikojnë me njëra-tjetrën. Moskomunikimi i rregullt nuk mund të rregullohet brenda një nate dhe ndodh ajo që ndodhi. Komunikimi brenda familjes është shumë i rëndësishëm dhe kjo gjë arrihet duke e plotësuar këtë boshllëk me dashuri e mëshirë ndaj fëmijës. Ndoshta ajo nënë nuk ka pasur aq para sa ta dërgonte vajzën e vet në ekskursion. Por këtë mungesë ajo duhet ta kishte plotësuar me dashurinë dhe mëshirën që ndjen çdo nënë për fëmijën e vet. Prindi duhet të tregojë autoritet, por njëkohësisht edhe mirëkuptim ndaj nevojave të fëmijës. Fëmija duhet mësuar që të tregojë respekt ndaj prindit dhe autoritetit, gjëra që do t’i nevojiten fëmijës për vitet në vijim. Por ajo që shohim rëndom si shfaqje publike npër mediat e lajmet që na vijnë nga të gjitha agjencitë, është mungesa e mëshirës, tolerancës, dashamirësisë e ajo që të vret më tepër është varfëria. Jo thjesht një varfëri ekonomike apo financiare, porse një varfëri shpirtërore e atillë, që po çon njerëzit në vrasje e vetëvrasje. Shoqëria duhet të gjejë mjetet dhe mekanizmat për ta ruajtur familjen dhe individin njëkohësisht. Një herë e një kohë ishte kolektivi në qendër të vëmendjes së shtetit dhe shoqërisë, ndërsa sot kemi kaluar në një shoqëri me fokus individin dhe egoizmin e tij për çdo gjë materiale. Kjo ka sjellë një shpërqendrim të vëmendjes nga objekti. Na duhet të gjejmë një të mesme të artë midis familjes dhe individit. Familja është një institucion i rëndësishëm për të cilin ia vlen të ruhet e të luftohet. Familja dhe qyteti janë dy nocione me të cilat shteti mund ta gjejë rrugën e zgjidhjes shumë lehtë. Familja dhe fshati gjeografikisht po shohim se janë shumë larg qendrës së vëmendjes së shtetit dhe ojf-ve të ndryshme që merren me veprimtari të ndryshme dobiprurëse shoqërore. Kjo largësi duhet të shkurtohet në mentalitetin shoqëror dhe praktik të jetës sonë sociale. Fshati po qëndron larg vëmendjes tonë të përgjithshme, madje edhe rendi megjithëse është i pranishëm atje me ndonjë polic operativ, i gjithë legjislacioni shtetëror nuk merr asnjë lloj vlere para traditës zakonore dhe lidhjeve të gjakut që ka ky polic në atë fshat ku jeton. Jeta ka dhimbje dhe këto dhimbje nuk do të na pushojnë deri në frymën e fundit në këtë botë. Vlerat tona të familjes kanë qenë gjithnjë ato që na kanë mbajtur të qëndrojmë në këmbë me krenari e dinjitet. Ky ka qenë sekreti i qëndresës sonë në përballimin e vështirësive dhe kështu ka për të qenë edhe në vazhdim. Familja është vlerë e shenjtë, e paprekshme! Mbrojtja e këtyre vlerave është mbrojtja e nderit dhe dinjitetit tonë shoqëror e kombëtar. Për këto gjëra ia vlen të jetosh e të luftosh dhe për këtë njerëzit kanë nevojë për një mbështetje shpirtërore e morale, e cila nuk ofrohet nga shteti. Këtë gjë nuk e ka bërë deri tashti as shoqëria civile me shumë nga mekanizmat e saj. Ndërkaq komunitetet fetare janë më të ndjeshme dhe përmbajnë brenda vetes së tyre mbështetjen morale dhe shpirtërore për këtë institucion të rëndësishëm, shumë herë më tepër se sa çdolloj grupimi tjetër shoqëror. Para pak ditësh një thirrje për të ruajtur familjen nga egoizmi i tepruar individual e sjellë kjo nëpërmjet një letre të firmosur nga intelektualë dhe figura të artit e të skenës u keqkuptua nga një grupim social, si dhe nga shumë të tjerë, duke hapur kështu një debat që ka munguar prej kohësh. Para se të shërojmë individin dhe familjen tonë ne duhet ta vendosim pikat mbi I, dhe jo të tregojmë me kokëfortësi se kështu jemi dhe pikë. Shërimi shoqëror nis nga shërimi shpirtëror, për këtë starti në çdolloj kohe e grupimi është njësoj i vlefshëm.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda mbi themelimin e Tiranës

Emra Muslimane

Sensi i dashurisë së Lasgush Poradecit